Policia e Tiranës ka arrestuar një 24-vjeçar në zonën e Kombinatit, pasi lokalin e tij e përdorte jo vetëm si bar, por edhe si pikë të paligjshme bastesh sportive.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në kuadër të operacionit “Fati i lojërave”, konstatuan se në ambientin e lokalit viheshin baste sportive përmes celularit.
Gjatë verifikimeve, në telefonin e të riut u gjetën faqe aktive të kompanive të basteve, të cilat ai i përdorte për organizimin e lojërave të fatit. Celulari iu sekuestrua si provë materiale.
Materialet e rastit iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa kontrollet për goditjen e kësaj veprimtarie të kundërligjshme vijojnë në të gjithë territorin e qarkut.














