Kryeministri i Kosovës, njëherësh kreu i LVV-së, Albin Kurti, akuzoi partitë opozitare se me mospjesëmarrje në seancën për zgjedhjen e presidentit po tregojnë se “nuk kanë qëllim tjetër përveç se bllokimit”.
Ai e akuzoi opozitën për veprime joshtetërore dhe sipas Kurtit partitë opozitare duan vetëm të bllokojnë qeverisjen e tij.
“Në këto rrethana, e gjithë kjo bllokadë nuk mund të quhet ndryshe pos mosnjohje e rezultatit zgjedhor e shprehur qartë më 28 dhjetor”, tha Kurti, duke shtuar se në këto zgjedhje partia e tij fitoi 51.1 për qind të votave.
Ai përmendi sërish ofertat që i ka bërë PDK-së dhe LDK-së për çështjen e presidentit, të cilat janë refuzuar, duke thënë se ai ka bërë propozime konkrete, por është përballur me refuzime.
“Ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet që vendi të mos shkojë në zgjedhje të përsëritura dhe të panevojshme”, tha Kurti në nisje të konferencës për media.
LVV ka kandiduar Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën për presidente të Kosovës, por disa parti opozitare i kanë kërkuar Rushitit – që dje në votimin e zhvilluar në Kuvend pa praninë e opozitës, mori 63 vota – të tërhiqet nga gara.














