Një “Call Center” që dyshohet se përdorej për mashtrimin e shtetasve të huaj përmes investimeve në bursa fiktive është goditur nga policia në Tiranë.
Policia bën me dije se gjatë ndërhyrjes në një apartament në rrugën “Sulejman Delvina”, i përshtatur si “Call Center”, u kapën në flagrancë dy administratorët e aktivitetit, shtetasit A. R., 44 vjeç, dhe L. M., 26 vjeç, të cilët u vunë në pranga.
Po ashtu, u proceduan në gjendje të lirë 12 shtetas të tjerë që punonin si operatorë, të cilët u konstatuan në ambient gjatë ndërhyrjes së policisë.
Nga hetimet rezulton se ambienti ishte marrë me qira dhe përdorej për mashtrimin e shtetasve të huaj, të cilëve u premtoheshin fitime nga investime në bursa që, në fakt, nuk ekzistonin.
Gjatë operacionit u sekuestruan 19 njësi kompjuterike, 2 telefona celularë dhe 1 DVR, që dyshohet se përdoreshin për këtë aktivitet të paligjshëm.














