Një debat me tone ironie ka ndodhur në Kuvend mes deputetëve të Vlorës, demokratit Bujar Leskaj dhe asaj socialiste, Briseida Çakërri.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bujar Leskaj e quajti administratën publike, patronazhiste, abuzive e pa meritokraci.
Por deputeti demokrat ka vlerësuar pozitivisht drejtoren e Shërbimit Legjislativ në Kuvend, Merita Qato.
“Thuajse 1/3 e administratës është jo profesioniste, patronazhistë, politike, emërime jo në bazë merite, por politike, vepron në mënyrë abuzive dhe selektive mbi interesin publik.
Një falënderim të veçantë për një nëpunëse të lartë të administratës, Merita Qaton, për shërbimin, përkushtimin, pasionin, ndershmërinë e saj. Shembuj të tillë të nëpunësve duhen në administratë”, tha Leskaj.
Pas kësaj deklarate të Leskaj, deputetja e PS-së Briseida Çakërri, ironizoi deklaratën e ligjvënësit demokrat, teksa tha se ka një përshëndetje për patronazhistët, të cilët sipas saj, duhet të shtohen në PS.
“Meqë ti e mbylle me përshëndetje, unë po e nis fjalën time me një përshëndetje për patronazhistët: U shtofshi në PS!”, tha ajo.













