Kryedemokrati, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp nga selia blu, ka renditur arsyet se përse shqiptarët duhet t’i bashkohen protestës së opozitës, deri në arritjen e largimit të qeverisë.
Një ndër motivet e kryengritjes së opozitës, sipas tij është edhe Porti i Durrësit, i cili “po kthehet në Dubain e 1001 netëve të Ramës.
Sipas Berishës, përmes këtij porti Rama ka një përfitim prej rreth 4 miliardë euro.
“Çështje madhore për çdo shqiptar është Porti i Durrësit që është pasuria më e madhe publike që kanë trashëguar shqiptarët nga shteti i tyre. Kjo pasuri publike tjetërsohet dhe shndërrohet në Dubain e 1001 netëve të Ramës, një fitim përrallor që tejkalon 4 mld euro. Krahas kësaj çdo qytetar shqiptar me taksat e tij është i detyruar të kontribuojë, të ndëshkohet me 1 mld euro minimumi për ndërtimin e Porto Romanos që do të jetë 4 herë më i vogël se Porti i Durrësit. Motiv për çdo qytetar për të mbrojtur interesin dhe pasuritë publike. Ka edhe një motiv thelbësor në rrafshin moral, është një periudhë ku puthadorët e qeverisë, altoparlantët e saj bëjnë gjithçka që për të mbuluar aktet anti ligjore e anti kombëtare të qeverisë Rama janë hedhur në sulm të shfrenuar kundër opozitës. Duhet të ngrihemi kundër mafias që shpif dhe mbron interesat e padronit Rama. Kundër atyre që bëjnë gjithçka t’u dekurajojnë”, tha ai.














