Nga Boldnews.al
Pa u shuar ende flaka në 35 apartamente në zonën e Farmacisë 10 në Tiranë, që lanë nën trauma qindra banorë të cilëve “fasada e pushtetit” ua përpiu mundin e jetës strehën mbi kokë, kryeministri Edi Rama reagoi publikisht duke u premtuar se kompania ndërtuese do ua ringrinte edhe një herë nga fillimi pallatet e dëmtuara.
“Pallati që u dogj dje në Tiranë, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, pavarësisht se nga të dhënat paraprake shkaku i zjarrit s’ka asnjë lidhje me vetë ndërtimin”, shkruan Rama. Në të njëtën linjë me kryeministrin, por me një dallim të dukshëm nën rreshta, mbajti qëndrim edhe vetë kompania “Arlis Ndërtim” e biznesmenit Armand Lilo.
“Shoqëria “Arlis Ndërtim” shpk pavarësisht se nuk mban asnjë përgjegjësi ligjore, në kuadër të përgjegjësisë sociale si kompani, si dhe angazhimit të saj për të qenë pranë njerëzve që kanë besuar dhe janë dëmtuar, merr përsipër me shpenzimet e saj, rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit të dëmtuar nga zjarri si dhe rindërtimin e të gjitha apartamenteve të dëmtuara duke i kthyer në gjendjen fillestare, pra në të njëjtat kushte që banorët e kanë marrë apartamentin me çelësa në dorë në momentin e dorëzimit”, tha zyrtarisht kompania.
Ndryshe nga Ali-Kadiu qeveritar I cili tha se: “shkaku i zjarrit s’ka asnjë lidhje me vetë ndërtimin” mendoi Prokuroria e Tiranës e cila në fazën e hetimit paraprak lëshoi katër urdhër-arreste, tre prej të cilëve u ekzekutuan, ndërsa njëri dhe më i rëndësishmi, ajo për biznesmenin Lilo nuk u çua deri në fund pasi nuk u gjet në banesë.
Teksa Lilo ndërtuesi, shijon lirinë, ata që e pësuan janë një copë administrator marketi ku dyshohet se nisi zjarri dhe administratori i pallatit, ndonjë patronazhist i lodhur që gjithsesi është më pak përgjegjës nga gjitha përgjegjësit e ngjarjes që për pak u kthye në tragjedi.
Në këtë pikë kompania ja “futi” Ramës, duke dalë tërësisht jashtë premtimit që ai u bëri banorëve. Rama flet për “rindërtim të pallatit”, ndërsa kompania për fasadë të re dhe rikostruksion të apartamenteve të djegura. Ata që e pësojnë nuk janë as Rama i Lilos dhe as Lilo i Ramës, por banorët e prekur. Shembujt janë më shumë se ashiqare dhe kjo është arsyeja që askush nga “viktimat e zjarrit Rilindas” nuk beson se do vijë ajo ditë që apartamentin e blerë me mund ta kenë ashtu si më parë.
Inxhinierët e ndërtimit kanë ngritur shqetësimin se duke parë përmasat e zjarrit, forcën e tij dhe temperaturën tepër të lartë të shkaktuar nga djegia e “fasadës së pushtetit” janë dëmtuar strukturat e betonit të tre pallateve. Kompania premton fasadën dhe “suvatimin” mbi strukturën e rrënuar, ndërsa Rama u premton “pallat të ri”.
Premtimi i Ramës se do të “marrin 100 % çdo dëm të shkaktuar” është ca më shumë se propagandë e momentit. Është sporti i përhershëm i talljes malinje që kënaq delirin e kryeqeveritarit. Prej vitesh ai ka premtuar dëmshpërblim të plotë për fatkesitë jo vetëm natyrore por mbi të gjitha shtetare, që vijnë nga përbytjet dhe zjarret të cilat dëmtojnë banesa, stalla bagëtish, pyje kullota dhe ara.
Asgjë nuk kanë marrë deri më tani, madje të dhënat tregojnë nuk janë dhënë as dëmshpërblimet e përcaktuara të vitit 2017. Mjafton ky tregues për të kuptuar se Lilo i Ramës dhe Rama i Lilos ia hodhën lumit me urin e zjarrit që shkrumboi 35 apertamente.














