Dy operacione policore janë finalizuar brenda 24 orëve në Tiranë, duke çuar në arrestimin e dy personave të dyshuar për vjedhje me pasoja të rënda.
Në operacionin “Kaseta”, u vu në pranga shtetasja M. Xh., e dyshuar për vjedhjen e 40 000 paundëve.
Sipas hetimeve, shuma ishte lënë përkohësisht në kasetën e depozitimit në një market nga një klient, punonjës i një pike këmbimi valutor. Paratë u gjetën në ambientet e subjektit ku punonte e dyshuara dhe u sekuestruan si provë materiale.
Ndërkohë në kuadër të operacionit të koduar “The driver”, u arrestua shtetasi L. B., 28 vjeç, i cili dyshohet se për një periudhë prej 6 muajsh ka përvetësuar rreth 3 000 000 lekë.
Ai akuzohet se ka shitur për llogari të tij pajisje të subjektit ku ishte i punësuar si shofer, konkretisht pajisje për përpunimin dhe konsumimin e kafesë.














