Një punonjës i kompanisë celulare “ONE” u gjet i shtrirë mëngjesin e sotëm pranë antenave në fshatin Krrabë, Fushë-Arrëz.
Sipas policisë, rreth orës 09:20 një qytetar njoftoi praninë e tij. Shërbimet e emergjencës dhe policia mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe identifikuan 50-vjeçarin Lumturi Kamberi i cili dyshohet se kishte shkuar për të riparuar një defekt në një prej antenave.
Lumturi Kamberi u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës për ndihmë të specializuar mjekësore.
“Rreth orës 09:20, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Pukë ka telefonuar shtetasi Gj. T., i cili ka njoftuar se në fshatin Krrabë ndodhej një person i shtrirë pranë antenave.
Menjëherë, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me shërbimet e emergjencës civile dhe të shëndetësisë, kanë shkuar në vendngjarje tek antenat në zonën e Midës.
Nga verifikimet ka rezultuar se bëhej fjalë për shtetasin L. K., rreth 50 vjeç, punonjës i një kompanie celulare, i cili dyshohet se kishte shkuar për të rregulluar një defekt në një antenë të kompanisë.
Shtetasi L. K. është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës, për ndihmë mjekësore.”- njofton policia.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.














