Partia Socialiste ka depozituar në Sekretariatin e Etikës kërkesat për masa disiplinore ndaj deputetëve të Partisë Demokratike, Flamur Noka, Elda Hoti dhe Albana Vokshi pas përplasjeve të djeshme në Kuvend.
Më konkretisht, për Flamur Nokën kërkohet përjashtim nga Kuvendi për 60 ditë, ndërsa për Elda Hotin dhe Albana Vokshin përjashtim për 30 ditë secila.
Tensionet nisën gjatë seancës së djeshme pasi kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, bëri thirrje për të mbajtur 1 minutë heshtje për 35 vjetorin e masakrës së fundit komuniste, më 2 prill 1991 në Shkodër.
PD e cilësoi si provokim, ndërsa situata u tensionua edhe gjatë momenteve të pushimit, teksa Noka i drejtohet Ballës, duke i thënë se “do të të rrjep si kec” dhe “Të bëj atë që nuk të shkon në mendje”.
Një tjetër përplasje u regjistrua me deputeten e PD, Elda Hoti, e cila i mori kartën e mikrofonit deputetes socialiste Bora Muzhaqi. Në këtë moment ndërhyri edhe Taulant Balla, i cili debatoi ashpër me Hotin, duke i kërkuar të mos e merrte kartën. Tensione pati gjithashtu edhe mes Albana Vokshit dhe deputetes së PS, Bora Muzhaqi.














