“Po e shqyrtoj seriozisht largimin nga NATO”. Me këtë deklaratë të fortë, Donald Trump rikthen në tryezë një nga skenarët më të fortë për aleancën atlantike.
Në një intervistë për “The Telegraph”, publikuar më 1 prill, ai sulmon hapur partnerët europianë, duke e quajtur NATO-n një “tigër prej letre”.
“Është shumë më tepër se një rishikim. Nuk kam qenë kurrë i bindur nga NATO. E kam ditur gjithmonë që ishte një tigër prej letre, dhe këtë e di edhe Putin”, deklaroi Trump.
“Sakaq ne kemi qenë gjithmonë aty, edhe për Ukrainën që nuk ishte problemi ynë. Ishte si një test dhe ne ishim aty për ta. Ata nuk ishin aty për ne”, shtoi ai.
Deklarata të tilla nuk janë të reja nga Trump, por këtë herë situata shihet më serioze. Sekretari i NATO, Mark Rutte, kishte tentuar të ulte tensionet pas samitit në Hagë në qershor 2025, ku 32 vendet anëtare ranë dakord të rrisin shpenzimet e mbrojtjes deri në 5% të PBB-së deri në vitin 2035.
Megjithatë, lufta me Iranin i ka rikthyer përplasjet në nivele të larta. Në mbledhjet e fundit të Këshillit të Atlantikut të Veriut, debatet janë bërë gjithnjë e më të ashpra.
Sinjali i parë kishte ardhur nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili deklaroi se “NATO nuk mund të jetë një aleancë me një drejtim”.
Tani frika është që samiti i radhës në Ankara, më 7-8 korrik, të kthehet në një përplasje të fortë mes Trump dhe aleatëve.
Ndërkohë, në Bruksel po qarkullon një tjetër shqetësim: SHBA mund të ndryshojë mënyrën si përdoren fondet për Ukrainën. Sipas burimeve, paratë e fondit Purl mund të përdoren jo për furnizimin e Kievit me armë, por për të mbushur rezervat e Pentagonit, të zbrazura nga dërgesat e mëparshme.
Edhe vetë fondi po ecën ngadalë. Deri tani, 24 vende kanë kontribuar rreth 4.5 miliardë dollarë, ndërsa kërkesa e Volodymyr Zelensky është mes 90 dhe 100 miliardë dollarë. Italia nuk ka aderuar ende. (Corriere della Sera)














