Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dy ish-zyrtarë të lartë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), të akuzuar për “shpërdorim detyre”.
Në bankën e të akuzuarve janë ish-Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së, Artion Saliasi, dhe ish-drejtori i Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, Gëzim Sala.
Sipas organit të akuzës, ata kanë lejuar dhe realizuar në mënyrë të paligjshme punësimin e shtetasit Muçi Shaljani në këtë institucion.
Nga hetimet mbi procedimin penal të vitit 2025 rezulton se Shaljani, i cili humbi jetën më pas nga një atentat me armë zjarri pranë rrethrrotullimit të Rinasit, afër Aeroportit “Nënë Tereza”, ishte punësuar në kundërshtim flagrant me ligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe rregulloren përkatëse të institucionit.
Prokuroria thekson se procedura ligjore për rekrutimin është anashkaluar plotësisht. Nuk është shpallur vend vakant, nuk është ngritur komision vlerësimi, nuk janë kryer testime apo verifikime dhe nuk është bërë asnjë vlerësim i dokumentacionit të aplikantit. Pavarësisht kësaj, punësimi është justifikuar me motivin “për nevoja emergjente”, një pretendim që sipas hetimeve nuk mbështetet nga asnjë strukturë e AMP-së.
Hetimet zbuluan se procedurat për punësimin e Shaljanit janë kryer brenda vetëm katër ditëve pune, nga paraqitja e kërkesës më 9 shtator 2025 deri në vendosjen e marrëdhënieve financiare më 16 shtator 2025. Gjatë kësaj periudhe, ai është përfshirë në listëpagesë dhe ka marrë pagë të rregullt deri në datën 11 nëntor 2025, ditën kur u vra, pa u paraqitur asnjëherë në punë dhe pa kryer asnjë detyrë.
Sipas Prokurorisë, dy të pandehurit kanë qenë plotësisht në dijeni të shkeljeve ligjore dhe mungesës së kritereve për punësim, por megjithatë kanë vijuar me procedurën, duke futur në strukturat e AMP-së një person të paverifikuar dhe me dokumentacion të dyshimtë.
Materialet i janë referuar gjykatës për vijimin e procesit gjyqësor ndaj dy ish-zyrtarëve.














