Në emisionin e sotëm, 25 Mars në “Stop” në Tv Klan, u trajtua problemi i prej 9 viteve, i zonjës Luke, e cila endet mes premtimeve të pambajtura dhe justifikimeve të njëpasnjëshme nga Agur Sadiku, i cili i detyrohet asaj plot 22 milionë lekë.
Historia nis kur Sadiku fitonte tendera dhe, për të përmbushur furnizimet në institucione, produktet i siguronte zonja Luke me paratë e saj.
Në fillim, ai i shlyente detyrimet, duke krijuar besim, por më pas pagesat u ndalën dhe komunikimi u kthye në një zinxhir mashtrimesh. Sa herë që zonja i kërkonte paratë, ai i ndryshonte afatet. Herën e fundit i tha se do t’i jepte një pjesë të detyrimit më 17 mars.
Agur Sadiku: Eh, si kalove? Në mars, në datën 17, do më marrësh në telefon mua dhe të kaloj një shumë të mirë unë! Mirë?
Por sërish gënjeu.
Madje, pas kësaj, Aguri e bllokoi, duke ndërprerë çdo komunikim.
Gazetarja: Zonja si je?
Bashkëshortja e Agur Sadikut: Mirë! Si jeni ju?
Gazetarja: Zoti Sadiku është në shtëpi?
Bashkëshortja e Agur Sadikut: Jo, nuk është këtu.
Gazetarja: Po ku është?
Bashkëshortja e Agur Sadikut: Në punë e di! Pse?
Gazetarja: Duam ta takojmë! Kishim lënë një takim sot me zotërinë.
Bashkëshortja e Agur Sadikut: Nuk është këtu.
Gazetarja: Me çfarë po merret tani?
Bashkëshortja e Agur Sadikut:Me punë kshu, ndërtim rruge.
Gazetarja: Keni dijeni për një borxh, që i ka zonjës?
Bashkëshortja e Agur Sadikut: S’e njoh fare zonjën, kush është. Kush jeni ju njëherë?
Gazetarja: Unë jam Domenika, gazetarja e Stopit!
Bashkëshortja e Agur Sadikut: Po kjo zonja tjetër?
Gazetarja: Zonja është ajo, që i ka ca detyrime, për t’i dhënë, 22 milionë lekë bashkëshorti juaj.
Në një ballafaqim të drejtpërdrejtë, Agur Sadiku pranoi vetëm 9 milionë lekë borxh, të cilat i ka edhe me deklaratë noteriale. Ndërkohë, pjesa tjetër e shumës, sipas zonjës Luke, është e dokumentuar me shkrimin e tij në një bllok që ajo disponon.
Për të kërkuar përgjigje, shkuam deri në banesën e tij në Urën Vajgurore, por reagimi i Agur Sadikut ishte kërcënues, duke iu drejtuar zonjës me fjalë të rënda dhe deri në kërcënime për jetën.
Agur Sadiku: Zhduku, zhduku, se do të vras!
Sot, pas 9 vitesh pritjeje, zonja Luke ka bërë kallëzim për mashtrim në Drejtorinë e Policisë Berat. Ndërsa Agur Sadiku vazhdon të pranojë vetëm një pjesë të borxhit.
/Emisioni STOP














