Dr. Bledar Kurti
Këto vitet e fundit, duket sikur qeveria zgjohet çdo mëngjes me pyetjen: si do ja nxijmë jetën shqiptarëve sot? Ku ka mbetur ndonjë vend pa ia futur? Ku t’ia ngjeshim një taksë më shumë? Kë shesh apo vend publik t’ia kthejmë në instalacion betoni të kushtueshëm? Kë rrugë ti bëjmë me pagesë? Me cilin qytet do tallim menderen sot tek takimet me popullin? Çfarë arsye tjetër ti japim që të largohen nga ky vend?
Nga ana tjetër, populli zgjohet në mëngjes me uratën: na e fustë sa më cekët e lehtë qeveria sot, dhe mbaroftë punë shpejt se e kemi lënë me shokët për makiato në mëngjes e birra në darkë që tē shohim futboll e vejmë ndonjë skedinë.
Ky është realiteti i sotëm politik dhe social i Shqipërisë. Nga njëra anë një qeveri pa klas, makute dhe humbëse e aspiratave të veta, nga ana tjetër një popull i sëmurë me sindromën e Stokholmit. Nga njëra anë një qeveri blerëse e votës dhe nga ana tjetër një popull që ka shitur votën. Blerësi apo shitësi? Cili është më bastardi? Në fakt nuk ka më asnjë rëndësi. Dikur ndoshta kishte, tashmë edhe rëndësia e gjërave është venitur. Një popull që zgjedh politikanë të korruptuar nuk është viktima por bashkëfajtori.
Kjo qeverisje është provinciale si në sjellje ashtu edhe në filozofi. Më kot krekoset si post-moderniste dhe si emblema e gjeneratës së re. Ajo e ka humbur garën me historinë. Asnjë iniciativë, reformë apo platformë nuk ka lidhje me këtë shekull apo me gjeneratat e së ardhmes, por përngjason me qeverisjet e viteve 90-të të shekullit të kaluar. Me dallimin, që tre dekada më parë shqiptarët kishin më shumë shpresë se sa sot, dhe nëse do hapej sërish porti e shqiptarëve do u ofrohej azil, anijet nuk do të mbusheshin me dhjetra mijëra por me qindra mijëra, derisa as edhe një frymë të mos mbetej më në këtë vend, përveçse qeveritarëve e politikanëve varrmihës.
Kjo qeverisje provinciale e mbushur tërëplot me figura e mentalitet provincial, pa asnjë plan të mëlargët se zgjedhjet e ardhshme, krekoset në nivelet e neverisë, duke turpëruar edhe vetë politikën, këtë art kaq të bukur mijëra vjeçar, që sot identifikohet me karrige lëkure shtetërore mbi të cilat ulen derra e dosa, shkollë-paktë e emra-shumtë, bastardë të vegjël e lëpirhanës të mëdhenj, trafikantë të konvertuar, dhe zyrtarë fodullë që firmosin nën urdhra vrullshëm e pa hesitim tenderat milionashumtë.
Ja fytyra moderne e qeverisë: përpara 30 viteve e bënim rrugën Tiranë-Durrës nga rruga e Ndroqit, ose me tren. Ja sot, 30 vite e dhjetra qeveri më vonë, përsëri këtë rrugë po bëjmë, por pa tren. Treni non c’è, è andata via, siç i iku Laura këngëtarit italian Nek. Kjo qeverisje është aq innovative dhe avant-garde sa që vdes të krahasohet me Saliun. Pesë vite kemi dëgjuar për Saliun më shumë sa kur qeveriste vetë Saliu. Kur mungojnë argumentat për të ardhmen, nis e kujton historitë e së shkuarës. Por, e mirë apo e keqe qeverisja e Saliut, nën thirrjen e “brain gain” shumë të rinj të mirëarsimuar u kthyen në Shqipëri për të punuar pro apo edhe kundër Saliut, pro apo edhe kundër Ramës, ndërsa sot, Shqipëria po përjeton “brain drain,” eksodin më të madh të mendjes në historinë e këtij vendi. Për një arsye tejet të thjeshtë. Shpresa gjendet kudo jashtë kufijve të këtij vendi.
Edhe vetingu i famshëm nisi e mbeti gjysmak. Preku vetëm oficerët e thjeshtë të policisë, e ca gjyqtarë pa mbështetje politike, të tjerët, peshqit e mëdhej apo peshkaqenët, vetingu jo vetëm i ndaloi por i pastroi. Tashmë ata e kryen procesin e pastrimit kimik, e janë absolutisht të panjollë, të gatshëm për sfida të reja e hapa të mësipërm në koridoret e privilegjeve të cilat ata i njohin më mire se kushdo tjetër.
Një turp i vërtetë ligjor, politik dhe social. Të gjithë do jenë të barabartë përpara vetingut, na u propagandua për dy vite me rradhë, por na doli që disa janë më të barabartë se sa të tjerët! Ashtu si tek Ferma e Kafshëve, e Xhorxh Oruell, Shqipëria është shndërruar në një fermë plot erë bajge, nën sundimin e derrave. “Krijesat jashtë panë derrin dhe njeriun,” shkruan Oruell, “pastaj njeriun dhe derrin, e më pas hodhën vështrimin nga derri tek njeriu; dhe ishte e pamundur të thuhej se nga dallonin nga njëri tjetri.” Kjo është qeverisja e sotme e gjeneratës së largqoftëve.
Por, oh sa shumë punon kjo qeveri për të të bindur që ajo nuk është pre-historike por historike. Propaganda e saj të flet në vesh e nën ndërgjegje çdo sekondë të ditës. Mos dëgjo gjuhën e tyre, dëgjo gjuhën e së vërtetës.
A e dini se cila është gjuha që natyra përdor për të shkruar ligjet e saj? Nuk është politika por matematika. Ndaj, nëse doni të kuptoni ligjet e habitatit tuaj, të jetës dhe shpresës suaj, bëni një matematikë të thjeshtë: zbrisni nga pagat faturat e detyrimet që keni për të shlyer, ushqimet, transportin, borxhet, librat, fletoret, veshjet e fëmijëve, ilaçet, e gjëra bazike si këto, dhe shkruajeni në një copë letër se çfarë ju ka mbetur për të shtyrë muajin. Ajo shifër është e vërteta pa dogma e pa propagandë; as e rilindur dhe as e parilindur. Aq sa ajo shifër vlen ti. Aq! 10, 000 lekë, pak a shumë në muaj. Në sytë e tu mund të të duket vetja xhevahir, por për qeverinë aq vlen, aq pak lekë. Një hiç.
Shqipëria është vendi i dytë më i varfër në Evropë, por ka qeveritarët ndër më të pasurit dhe më arrogantët në botë. Dhe këta nuk kanë zbritur me parashutë nga ndonjë planet tjetër, por janë ngjizur dhe katapultuar nga vetë ky popull.
Zyrtarët e këqij janë të zgjedhur nga qytetarët e mirë që nuk votojnë, ose nga qytetarët me intelekt e integritet të cilët zgjedhin të bëjnë asgjë. Të gjithë duhet të kuptojmë që qeveria nuk është zgjidhja, por problemi. Këtë nuk e them as unë e as ndonjë njeri i thjeshtë pro apo kundër qeverisë, kjo është një thënie e Presidentit Amerikan Ronald Reagan, e cila të nxit të gjesh zgjidhjen tek vetja dhe jo tek qeveria. Të krijojmë entitetin civil si një shoqëri e tërë në mënyrë që qeveria të zgjohet në mëngjes jo me dëshirën sadiste se si ta bëjë qytetarin të vuajë e të ketë frikë, por të dridhet vetë nga frika se mos qytetari dhe e mbarë shoqëria e vë përpara përgjegjësisë mbi standartin e jetesës, mbi planet afatgjate, mbi investimet, mbi vendet e punës, mbi infrastrukturën, arsimin, shëndetësisë, pensionet, etj.
Nëse kjo qeveri nuk zgjohet një ditë me këtë frikë nga qytetari, të dashur bashkëqytetarë vazhdoni të keni frikë.