Policia e Fier ka goditur dy raste të armëmbajtjes pa leje, duke arrestuar një shtetas dhe duke shpallur në kërkim një tjetër.
Specialistët për Hetimin e Krimeve, pas informacioneve operative se një person posedonte armë zjarri, organizuan ndërhyrjen dhe bënë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit Dori Lamkaj, 52 vjeç, banues në Fier.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri tip pistoletë, një fishek, si dhe një palë pranga të ngjashme me ato të Policisë, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi Romeo Çako, 34 vjeç, po nga Fieri, për të cilin Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ai dyshohet se më datë 21 nëntor 2025, gjatë një konflikti, ka qëlluar në ajër me armë zjarri tip automatik.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim.














