Nga Boldnews.al
Ndërsa socialistët të martën e agjërimit përdorën si ushqim politik mbledhjen në mënyrë “urgjente” që të dënonin shtetin e Iranit dhe veçanërisht Gardën Revolucionare, duke votuar rezolutë që e shpall atë “organizatë terroriste”, as Partia Demokratike nuk mbeti pas.
Në deklaratën zyrtare të PD-së thuhej se dënonin me “forcën më të madhe” të tyre regjimin e Ajatollahëve në Iran dhe mbështesin fort, po shumë fort, SHBA-të dhe Izraelin për përbysjen e elitës politike iraniane.
“Partia Demokratike mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe Izraelit për përmbysjen e diktaturës mizore teokratike të Ajatollahëve dhe zëvendësimin e këtij regjimi me një qeveri të zgjedhur nga populli si një kontribut madhor për çlirimin e popullit iranian, si dhe për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë”, thuhej në qëndrimin e partisë më të madhe opozitare të një prej gjashtë shteteve të Ballkanit Parëndimor.
Fakti që PD mbajti këtë qëndrim duket se në mos ka bërë do të bëjë në vijim shumë përshtypje në SHBA, Izrael, vendet e tjera të mëdha perëndimore dhe madje “shqetësuan” edhe regjimin e Iranit. Përtej çdolloj ironie, qëndrimi i PD-së, duket ca qesharak dhe jashtë çdo orbite normale.
PD më së pari duhet të ziejë si forcë politike e cila është përfshirë në zgjedhjet e brendshme të partisë. Vlera më e madhe do të ishte nëse do marrnin në analizë se kush do e përfaqësojë PD-në në Roskovec, Pustec, Bradashesh, Qinam etj, etj fshtra, qyteza apo qytete.
Shqetësimi për “paqen në botë” dhe mbi të gjitha sugjerimi për të përmbysur regjime që nuk njohin votën dhe qeverisjen demokratike ngjan më shumë se e tepërt, pavarësisht arsyeve për të cilët reagojnë, me shpresën se duhet të mbajnë të njëtën linjë me presidentin e SHBA-ve Donald Trump.
Demokratët që janë sy e veshë nga selia qëndrore e partisë do të preferonin më shumë të kishin një deklaratë që të njoftonte për zgjedhjet, kandidatët, demokracinë brenda partisë dhe sigurimin e të gjitha mjeteve për zgjedhje të lira dhe ndershme në strukturat e tyre.














