Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar në lidhje me rritjen e çmimeve të naftës.
Në një postim në rrjete sociale, Këlliçi kritikon ashpër Edi Ramën, duke e cilësuar si të papërshtatshëm reagimin e tij përmes një takimi me importuesit e karburanteve. Sipas Këlliçit, takimi nuk solli asnjë masë konkrete për uljen e çmimeve, por vetëm diskutime pa rezultat.
Për këtë arsye ai ka bërë thirrje që qytetarët të bashkohen në protestë më 22 mars, për të shkundur themelet e qeverisë, sic thotë ai.
“Nafta ka shkuar 2 mijë lek duke ndikuar në gjithë ciklin ekonomik me rritje kostosh. Zërat që qeveria të ndërhyjë me heqje apo ulje taksash janë shtuar, ndërkohë reagimi që vjen nga Edi Rama është një muhabet i gjatë në një zyrë me disa importues karburantesh.
Kjo bufonadë zgjati më shumë se 1 orë dhe njerëzit po prisnin se cilat ishin masat konkrete. Asnjë. Asnjë masë. Muhabet, tjerrje fjalësh, ndonjë batutë tek tuk me të cilat qeshin shumë ministrat në krah të Ramës.
Nga ky takim del se çdo gjë është në rregull.
Shqiptarët sot paguajnë naftën më të shtrenjtë në Europë dhe kanë të ardhurat më të ulëta. Por për qeverinë dhe kryeministrin s’ka asnjë problem.
Edhe çmimet e ushqimeve sipas Instat janë rritur këtë muaj më shumë se mesatarja e BE. Përsëri, për qeverinë s’ka problem.
Duhet të bashkohemi, të ngremë zërin, ta tundim nga themelet këtë qeveri të korruptuar, të pandjeshme ndaj qytetarëve e kërkesave të tyre.
Me 22 mars, ora 18:00, para Kryeministrisë.”,– shkruan ai.














