Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Vjenë, ku katër persona humbën jetën tragjikisht gjatë punimeve në një kantier ndërtimi.
Incidenti ndodhi në orarin e punës, kur skelat e ndërtimit u shembën papritur, duke shkaktuar rënien e disa punëtorëve në oborrin e një ndërtese të vjetër.
Tre prej viktimave ishin me origjinë nga Kosova: Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj, të cilët gjetën vdekjen e menjëhershme. Viktima e katërt ishte një punëtor tjetër, identiteti i të cilit ende nuk është bërë publik.
Një banor i zonës, i cili dëgjoi momentin dramatik, tregoi për “Kronen Zeitung”: “Ishte një zhurmë jashtëzakonisht e fortë, pastaj dëgjova vetëm britmat e punëtorëve. Më pas u ndezën sirenat.”
Zjarrfikësit raportuan se operacionet e shpëtimit ishin jashtëzakonisht të vështira për shkak të oborrit të ngushtë dhe rrënojave të shumta.
Niveli i alarmit u rrit në shkallën 2, duke kërkuar mobilizimin e forcave shtesë. Rreth 120 efektivë me 30 automjete të zjarrfikësve dhe mbrojtjes civile u angazhuan në vendngjarje.
Për të arritur tek punëtorët e bllokuar, ekipet u detyruan të krijonin hyrje të reja, duke hequr gardhe e dyer, si dhe duke larguar pjesët e skelës së shembur dhe armaturat e hekurta. Veçanërisht i vështirë ishte largimi i betonit ende të lëngshëm, i cili u krye me dorë.
Pas dy orë e gjysmë ndërhyrjesh intensive, trupat e katër punëtorëve u nxorën nga rrënojat, por fatkeqësisht të gjithë u konstatuan të vdekur.













