Ekpserti i Çështjeve ndërkombëtare, Agim Nesho shprehet se rezoluta e fundit parlamentare e nxitur nga Partia Socialiste nuk është një vendimmarrje qeveritare e mirëfilltë, por një shou dhe protagonizëm personal i Edi Ramës.
Sipas tij, veprimi i kryeministrit nuk përkon me politikën e jashtme të Bashkimit Europian, duke shërbyer si manovër për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, për të treguar një “zell të tepruar” ndaj SHBA-së dhe, më e rëndësishmja, për të fshehur skandalet e mëdha korruptive që kanë kapur vendin.
Ai nënvizon gjithashtu se kjo lëvizje përbën pjesë të një strategjie politike të Ramës, që mund të përdoret për të krijuar alibi mbi integrimin europian dhe për të konsoliduar imazhin e tij si lider ndërkombëtar, pavarësisht pasojave për diplomacinë shqiptare.
“Me shumë të drejtë është një shou dhe protagonizëm i Edi Rama. Nuk ka të bëjë me një shprehje të një vullneti politik të një partie socialiste në parlament, pasi vendimmarrja merret nga qeveria. Duhet të themi që një vendimmarrje e tillë nuk bazohet, në radhë të parë, në njëhsimin e politikës së jashtme që Shqipëria, si një vend kandidat për Bashkimi Europian, duhet ta përafrojë me Europën e Bashkuar, por është një tërheqje vëmendjeje dhe një përdorim i Ramës nga faktorë të tjerë; kjo u pa edhe nga lavdërimet që i erdhën në orët e fundit nga ministri i jashtëm i Izraeli për qëndrimin e tij personal.
Pra, Rama këtë shou e bën për disa arsye. Në radhë të parë, për të treguar një zell të tepruar ndaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat gjithnjë e më shumë janë kritike ndaj mënyrës se si ai e drejton vendin. Së dyti, dhe më e rëndësishmja, është për të fshehur skandalet e mëdha korruptive që kanë kapur vendin, duke u përpjekur të tregojë se është tepër solid dhe me lidhje shumë të forta. Madje, paraqitet si një nga ata udhëheqës që paraprijnë me veprimet e tyre politike.
Së fundi, një deklaratë e tillë, që do të shihet edhe më vonë, është pjesë e një strategjie daljeje të Ramës, të cilën e nisi me bashkëbisedimin me Vuçiçin në një gazetë gjermane, për të krijuar narrativën e daljes nga Bashkimi Europian. Argumenti i tij kryesor do të ishte se Shqipëria nuk u pranua pavarësisht “arritjeve të mëdha”, sepse ai u rreshtua me demokracinë më të fuqishme në botë, gjë që sipas tij ishte e panevojshme.
Të gjitha këto shërbejnë për të përgatitur terrenin për të thënë se ai është keqkuptuar, se është një lider që përkrah të gjitha iniciativat perëndimore dhe ka një vizion që shpesh ua propozon edhe vetë europianëve. Por ajo që shqetëson më shumë është se ky lider, që pretendon të jetë global, është një figurë që përdoret lehtësisht në arenën ndërkombëtare. Është bërë qesharak, një kameleon politik që përshtatet sipas interesave, duke e kthyer diplomacinë shqiptare në një “tullumbace” që endet pa drejtim të qartë.”– tha Nesho në ‘Task Force’ në syritv.














