Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, ka deklaruar mbrëmjen e sotme se kishte verifikuar arsyet e vizitës në Shqipëri, të ambasadores së SHBA-së në Athinë, Kimberly Guilfoyle.
I ftuar në emisionin Opinion, Bardhi u shpreh se sipas tij, Guilfoyle kishte ardhur në Shqipëri ti kërkojë llogari Edi Ramës.
“Po meqenëse po merremi me komentet e veshjes, të merremi me një gjë thelbësore. Bëhet fjalë për dy investime të bllokuara nga qeveria shqiptare që lidhin Tiranën dhe Athinën, dhe ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë interes strategjik. Kjo është arsyeja pse. Janë bllokuar nga qeveria shqiptare. Projekti lidhet me Athinën dhe disa vende të tjera. Pra, Bullgarinë dhe vende të tjera. Është një projekt rajonal dhe është bllokuar pjesa e këtij projekti në Shqipëri.”, tha Bardhi.
I pyetur se pse kjo vizitë u duk se u bë në mënyrë jo zyrtare, por u kap me kamera rastësore, përgjigja e Bardhit ishte e tillë: “Unë s’jam zëdhënësi i ambasadores, unë po them se kam verifikuar arsyet e vizitës dhe vizita ka qenë për këtë shkak, për të kërkuar llogari për dy investime me qëllime strategjike të bllokuara nga qeveria shqiptare.”
Ky diskutim vjen pasi mbrëmjen e të mërkurës në ambientet e Kryeministrisë është parë të hyjë Kimberly Guilfoyle, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Athinë, e cila është pritur që në hyrje nga Rama.














