Kreu i SPAK, Klodian Braho ka folur mbi raportin e depozituar një ditë më parë në Kuvend, ku pasqyrohej e gjithë veprimtaria e zhvilluar prej Prokurorisë përgjatë vitit 2025.
Braho, ka deklaruar se të dhënat e Raportit të Vitit 2025, sipas tij, tregojnë se SPAK ka shënuar progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa është shprehur se do të hetohen dhe ndiqen penalisht të gjithë zyrtarët që kanë abuzuar me detyrën.
“Të dhënat e Raportit të Vitit 2025 tregojnë se SPAK ka shënuar progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për këtë vlerësoj punën e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Megjithatë, këto janë sfida që kërkojnë përpjekje të vazhdueshme. Ne po punojmë intensivisht për hetimin dhe ndjekjen penale të të gjithë atyre zyrtarëve që kanë abuzuar me detyrën. Një rol kryesor në arritjet e SPAK ka luajtur edhe forcimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për hetimin e çdo personi që ka kryer vepër penale, duke treguar se askush nuk është mbi ligjin dhe se të gjithë janë të barabartë para tij”,- ka deklaruar Braho.
Ndërkohë kjo deklaratë vjen një ditë pasi Edi Rama, nëpërmjet Ulsi Manjës dhe Taulant Ballës, vendosi të refuzojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për autorizimin për arrestimin e Belinda Ballukut.
Me rastin e Ballukut, Braho ka mundësinë të tregojë nëse Prokuroria e Posaçme do të mbaj profilin e goditjes në nivele të larta apo do ta shndërrojë SPAK-un në një zgjatim të rëndomtë të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm.
LEXO EDHE:
Rama nuk e dorëzoi Ballukun, çfarë sfidash ka SPAK-u i Klodian Brahos (dy variantet)














