Raporti i SPAK për vitin 2025 i është dërguar Kuvendit, duke evidentuar si sfida kryesore korrupsionin në nivele të larta, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave, veçanërisht në sektorin e ndërtimit.
Në dokument vihet re se, krahas hetimeve për korrupsion dhe krim të organizuar, gjatë vitit të fundit ka pasur një vëmendje më të madhe ndaj fenomenit të pastrimit të parave në ndërtim.
Duke komentuar raportin në emisionin MCN LIVE, gazetari Sokol Bregu theksoi se viti 2025 u karakterizua nga një fokus më i madh i SPAK te korrupsioni, ndërsa goditja ndaj krimit të organizuar duket se ka qenë më e kufizuar.
“Ajo që SPAK evidenton është se në 2025 u investua më shumë në hetimet për korrupsion dhe ky vit kulmoi me arrestimin e Erion Veliaj, që ishte lajmi më i bujshëm. U konsiderua edhe si një arrestim para zgjedhjeve të 2025 që mund të sillte kosto politike për maxhorancën qeverisëse, por në fund nuk rezultoi kështu.”– tha Bregu.
Sipas tij, disa nga proceset më të rëndësishme që priteshin nuk kanë përfunduar ende në gjykatë, ndërsa hetimet kanë përfshirë një numër të madh figurash politike.
“Ne kemi krijuar një ide që nëse nis një hetim, automatikisht prezumohesh fajtor, por në fakt vendimin duhet ta japë gjykata. Janë nisur hetime për shumë politikanë të nivelit të lartë, nga Sali Berisha te Ilir Meta dhe Veliaj, si dhe për disa kryetarë bashkish, por ende nuk kemi rezultate konkrete nga këto hetime.“- tha Bregu.
Bregu theksoi gjithashtu se një nga problemet kryesore mbetet niveli i ulët i sekuestrimeve dhe konfiskimeve të pasurive nga aktivitetet kriminale.
“Shifrat tregojnë një varfëri totale. Edhe sikur të jenë konfiskuar 45 milionë euro, ne mendohet se nga trafiku i drogës në vend qarkullojnë rreth 1.8 deri në 2 miliardë euro në vit. Prandaj 45 milionë euro në vit janë shumë pak për të goditur krimin e organizuar”.
Sipas Bregut, reforma në drejtësi kishte si synim goditjen e krimit të organizuar përmes ndjekjes së parave dhe jo vetëm arrestimeve.
“Sot logjika është: mos arresto pafund ‘ushtarë’ të trafikut të drogës, por gjej paratë. Nuk ka më eufori vetëm për arrestime. Pyetja është: ku janë paratë kur dikush ka trafikuar tonelata drogë? Kjo është pika më e dobët që ka SPAK, sekuestrimet dhe konfiskimet”, theksoi ai.
Në fund, gazetari shtoi se pas çdo grupi kriminal shpesh qëndron edhe mbështetje nga brenda strukturave shtetërore.
“Pas çdo grupi kriminal ka gjithmonë një polic, nuk ka ndryshe. Çështja është në çfarë niveli është kjo mbështetje dhe sa e thellë do të jetë goditja ndaj saj.”- tha ai.














