Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një aktivitet me gratë dhe vajzat me rastin e 8 Marsit. Në fjalën e tij, ish kryeministri deklaroi se pa u vendosur barazia mes burrit dhe gruas nuk ka shoqëri të drejtë dhe ideale. Sipas Berishës, në Shqipëri sot gruaja përballet me të gjitha të këqijat e këtij regjimi.
“Ju garantoj se beteja me këtë mur ka qenë dhe mbetet objektiv i rëndësishëm, ndër më kryesoret në PD. Pa vendosur barazinë mes burrit dhe gruas shoqëria nuk mund të jetë shoqëri e drejtë dhe shoqëri e idealeve dhe parimeve njerëzore.
Në Shqipëri sot ajo që përballet me të gjitha të këqijat e këtij regjimi është nëna, motra, gruaja dhe vajza. Ky është realiteti i trishtë. Për të gjithë ne, para syve tanë, kombi që nënat tona e sollën si komb shqiptar po tretet, po shkon drejt shuarjes së pashmangshme”, deklaroi kreu i PD.
Berisha dënoi edhe gjuhën fyese të Taulant Ballës në Kuvend ndaj Albana Vokshit, duke deklaruar se ky është regjimi “mizonik”.
“Ky është regjimi i mizogenisë, është regjimi i banditëve që nuk kanë norma. Unë dënoj me forcën më të madhe, ti shpreh solidaritetin Albanës, e cila u agresua në Parlament vetëm se ju ka përfaqësuar me dinjitet ju. Ajo ka qenë zëri juaj i guximshëm. Kryeministër më mizogen se Rama nuk e ka patur as Shqipëria as Evropa”, deklaroi Berisha.
Po ashtu, kreu i PD u shpreh se vendi është në një moment kritik, pasi sipas tij ky regjim ka vendosur të dekriminalizojë vjedhjen e qytetarëve nga pushtetarët. I ndalur tek Balluku, Berisha theksoi se “ajo është një mëkatare e madhe”.
“Jemi në një moment kritik, ku nuk regjimi ka shpalosur para nesh duke sfiduar cdo qytetar shqiptar egërsinë e pushtetit të tij. Ka vendosur të mbrojë vjedhjen, ka vendosur ta dekriminalizojë vjedhjen e qytetarëve nga pushtetarët. Ajo që shihni ju në aparencë si betejë mes Lubi Ballukut dhe gjyqësorit, jo. Është midis Edi Ramës. Ajo është mëkatare, sepse ka 25 vite që shërben si asistente në vjedhje, por vjedhjet e mëdha i ka bërë Edi Rama. Ndaj në kilometrin e fundit kërkohet forca e grave, energjia dhe guximi i tyre”, tha kreu i PD.














