Gjykata e Posaçme ka vijuar edhe këtë të premte të dëgjojë dëshmitarët e thirrur nga SPAK në procesin ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar për “korrupsion zgjedhor”.
Ashtu si në seancën e kaluar, edhe këtë të premte Prokuroria e Posaçme vijoi me pyetjen e dëshmitarëve të thirrur në këtë proces.
Disa prej tyre kanë mohuar të kenë pasur kontakt me Shkrelin, ndërsa të tjerë kanë treguar komunikimet që kanë patur me kryebashkiakun e Vaut të Dejës.
Ndërkohë prokurorët kanë lexuar edhe një përgjim të datës 26 prill 2025 ku Shkreli i thotë dëshmitarit: “Po Franc, në takim thuaj: i ka shkuar letra fëmijëve, aty janë 4 të mbyllur. Vetëm 11, mos u merrni me kandidatë, vetëm 11. Sa ka ai atje? 4 për sot, po i ka vetëm djali.”
Dëshmitë e plota:
Dëshmitari Martin Toma: Unë punoj pranë OSHE-së në zonën e Vaut të Dejës. Jam elektricist. Jam në dijeni pjesërisht për remontin. E di se aty është një lagje me rrjet shumë të amortizuar. Na ka thënë shefi që do të jemi te remondi. Kemi bërë punimet sipas linjës; ishte gati 500 metra dhe ishte e amortizuar. Baza materiale, me dijeninë tonë, shtetërore, ka qenë e siguruar nga OSHE. Ka qenë një fadromë, por s’e di ku e kanë marrë dhe as nuk e kam marrë unë.
Dëshmitari Leorenc Pjetra: “Unë jam specialist i urbanistikës pranë Bashkisë Vau i Dejës. Kam marrë informacion për një investim që do të bëhej në linjën e OSHE-së në fshatin Stajkë, në muajin shkurt të vitit 2025. Në atë periudhë nuk kujtoj të kem marrë telefonatë për atë rast nga kryebashkiaku Kristian Shkreli. Me kryebashkiakun kam komunikuar për çështje të tjera pune. Unë isha drejtor i Shërbimeve Publike; nuk jam unë fadromisti. Më është kërkuar leje për fadromën, e cila është përdorur për të hapur gropat për vendosjen e shtyllave.”
SPAK lexon një përgjim të datës 26 prill 2025: “Po Franc, në takim thuaj: i ka shkuar letra fëmijëve, aty janë 4 të mbyllur. Vetëm 11, mos u merrni me kandidatë, vetëm 11. Sa ka ai atje? 4 për sot, po i ka vetëm djali.”
Dëshmitarja Fllanza Kola: “Fëmijët e mi janë të tre në Itali, të tre janë të martuar. Kur kisha burrin e sëmurë, i vetmi që na ka ndihmuar ishte Tom Doshi. Te PS ka ardhur si kryetar i PS-së Kristian Shkreli. Unë jam kryetare e gruas në PS për zonën. Kristian u bë kryetar bashkie dhe na ka ndihmuar pafund ne grave. Na ka ndihmuar që të kemi të drejta të barabarta. Fëmijët e mi kanë dashur t’ia japin votat Tom Doshit, pasi ishin mirënjohës, sepse kur nuk kishin asgjë, ai i ka ndihmuar. Në listë, 11 ishte PSD e Tom Doshit.
Ndërkohë në përfundim të dëgjimeve të dëshmitarëve, seanca u shty për të bërë të mundur njoftimin edhe të tre dëshmitarëve të tjerë. Seanca e radhës është caktuar më 2 prill, në orën 14:00.
Akuzat ndaj Shkrelit:
Kristian Shkreli është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme, pasi dyshohet se në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit bleu vota për subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë.
Nga hetimet e SPAK është evidentuar se Kristian Shkreli ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore, në mbështetje të PSD-së, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë periudhës së fushatës elektorale, dhe duke u kërkuar banorëve të kësaj zone votimin për subjektin politik të preferuar prej tij, Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë.
Pas mbylljes së hetimeve, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka dërguar për gjykim Kristian Shkrelin, për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje.
LEXO EDHE:
“Mos e çaj kryt, dritat i ke të kryme”, përgjimet e SPAK në gjyqin ndaj Kristian Shkrelit














