Nga Elton Qyno
Është ekstraduar nga Anglia, Lorenc alias Kristian Lala, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes një vendimi të Gjykatës së Posaçme.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se emri i Lorenc Lalës, doli nga dëshmia e bashkëpunëtorit të prokurorisë SPAK, Artan Tafani, i cili ka përmendur Lalën se ka paguar shumën prej 50 mijë euro për vrasjen e Bashaliut në Peqin.
Pritet që brenda dy ditëve Lorenc Lala të dalë para gjykatës së posaçme për tu njohur me rivlerësimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”.
Sipas bashkëpunëtorit të SPAK, Artan Tafani, vrasja e Albi Bashaliut në fshatin Gjocaj të Peqinit, është kryer kundrejt 50 mijë eurove dhe pagesa është dhënë tek Laert Haxhiu nga Lorenc alias Kristian Lala.
Tafani thotë se, vrasjen e Bashaliut e ka kryer ai së bashku me Lulzim Arapin, Bledar Berberin, Enrico Xhahysën dhe Laert Haxhiun.
Shuma financiare është paguar nga Lala tek Laert Haxhiu i cili më pas ka mobilizuar grupin e tij për të kryer vrasjen.
Tafani, ka pranuar pjesëmarrjen në vrasjen e Bashaliut, duke treguar se këtë krim e ka orkestruar Laert Haxhiu, me financimin e familjes së Ylber Xhahysës, me qëllim hakmarjen për vrasjen e Ylberit nga Leonard Bashaliu, në vitin 2021.
Në këtë episod kriminal, Tafani ka treguar të gjithë dinamikën e vrasjes, përgatitjen, sigurimin e armëve, momentin e vrasjes e deri tek largimi, duke braktisur makinën në Kavajë.
Por brenda në mjetin e braktisur policia dhe prokuroria e Elbasanit gjetën filtrin e cigares, ku dhe u zbulua profili i ADN-së, që solli më pas identifikimin e njërit prej autorëve pjesëmarrës në këtë vrasje, Artan Tafani.
Tafani, u lokalizua në fshatin Savër të Lushnjës dhe u arrestua nga policia operacionale disa ditë më parë.
Për tre ditë me radhë, ai është njohur me faktet dhe akuzat që kishte ngritur prokuroria e Elbasanit, si njëri nga vrasësit e Albi Bashaliut.
Të arrestuarit i është hedhur në tavolinë oferta e bashkëpunimit me prokurorinë, i cili ka pranuar të japë shpjegime për të gjitha krimet që di, në këmbim të garancisë së mbrojtjes fizike të tij dhe familjarëve por edhe një dënimi sa më të butë.
Ai ka pranuar pjesëmarrjen në vrasjen e Bashaliut, duke treguar se këtë krim e ka orkestruar Laert Haxhiu, me financimin e familjes së Ylber Xhahysës dhe Kristian Lala, me qëllim hakmarrjen për vrasjen e Ylberit nga Leonard Bashaliu, në vitin 2021./Syri,net














