Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka publikuar një video në rrjetet sociale ku analizon situatën e investimeve të huaja në Shqipëri, duke ngritur shqetësimin për përkeqësimin e klimës së biznesit dhe rënien e besimit të investitorëve ndërkombëtarë ndaj vendit.
Sipas reagimit me video-postim Tabaku thotë se “barra më e madhe për biznesin e ndershëm është vetë shteti”, duke theksuar se problemi nuk lidhet vetëm me rritjen e taksave, por me një sjellje selektive dhe diskriminuese ndaj sipërmarrjes së ndershme.
Ajo argumenton se ndryshimet e shpeshta të ligjeve, miratimi i akteve të veçanta për interesa të caktuara dhe favorizimi i sektorëve apo kompanive të përzgjedhura, kanë prishur rregullat e tregut dhe kanë dëmtuar konkurrencën e lirë.
“Sa më korrekt të jesh me shtetin, aq më shumë goditesh prej tij. Kjo është taksa e të ndershmëve”, shprehet Tabaku, duke akuzuar administratën tatimore, doganat dhe inspektoratet për presion të shtuar ndaj bizneseve transparente, ndërkohë që sipas saj, ekonomia është përqendruar në pak duar përmes tenderave, koncesioneve dhe favoreve të njëanshme.













