Ilir Proda është shkarkuar këtë të diel, nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Sipas raportimeve në media, vendimi u mor pas protestës së mbajtur nga Partia Demokratike, me argumentin se nuk është garantuar siguria për qytetarët, ndërkohë po të njëjtat burime konfirmojnë se në vend të tij është komanduar Sokol Bizhga.
Ilir Proda u emërua si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më 2 tetor të vitit 2024. Më herët, ai ka mbajtur detyra si specialist i policisë kriminale, shef komisariati nr. 2 në Tiranë dhe Bulqizë si dhe drejtor i Policisë së Elbasanit.
Ndërkohë shkarkimi i tij nga detyra vjen pak ditë pas valës së shkarkimeve në qeveri, ku u larguan Elisa Spiropali, Belinda Balluku, dhe Pirro Vëngu, këta të fundit të akuzuar për përfshirje në skandale dhe afera miliona euro.
Gjithashtu shkarkimi i Prodës vjen në një kohë kur emri i tij është lakuar në zhvillime hetimore të dosjes së AKSHt. Më herët telefoni i tij celular është sekuestruar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të këtyre hetimeve.
Gjithshtu Ilir Proda ishte vendosur edhe në qendër të akuzave të opozitës për lidhjet e dyshuara me krimin e organizuar dhe kartelet. PD e akuzonte Prodën se kishte lidhje direkte me Suel Çelën dhe Ergys Agasin, të cilët edhe e promovuan në kupolën e institucionit.
Gjithashtu dhe vartësit e Prodës, janë përfshirë në hetime të rëndësishme. Si rasti i nën/drejtorit të Policisë së Tiranës, Erion Ismailaj, i cili akuzohej se ka ndihmuar Ergys Agasin dhe Ermal Beqirajn për pengmarrjen e Gerond Meçes. Ky i fundit u bë i njohur si përfitues i mbi 40 milionë eurove në tenderat e AKSHI-it, së bashku me baxhanakun e kryeministrit të vendit, Edi Rama.
Sipas raportimeve, nën/drejtori i policisë merrte rregullisht një tarifë prej 70 mijë eurosh në muaj për “suksesin” e call center-it nga “Sauksi”, si dhe shuma të konsiderueshme për bastet e paligjshme online.
Ismailaj frekuentonte kompleksin e ish-“Kodra e Kuajve”, sot “Equos”, ku merrte rregullisht pagesat. Ky vend njihet gjithashtu si streha dhe vendi i drekave dhe takimeve të Ergys Agasit.
Ndërkohë përpos Prodës, raportohet se nga detyra është shkarkuar edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi.
Njësoj si me Ilir Prodën, edhe largimi i Alushit, vjen me argumentin se nuk ka garantuar sigurinë e qytetarëve në protestën që Partia Demokratike organizoi ditën e djeshme.
Ndërkohë kujtojmë se më 7 Mars 2025 Alushi ka qenë i thirrur edhe në Prokurorinë e Posaçme. Pas daljes nga godina e SPAK, drejtori i Policisë së Tiranës nuk ka komentuar për mediat.
Elton Alushi e mbante postin e kryepolicit të Tiranës prej nëntorit 2024, pas largimit nga detyra të paraardhësit të tij Tonin Vocaj.
Ndryshime e bëra këtë të diel në kupolën e Policisë, janë shitur nga Rama si shkak i protestës së PD-së, por nisur nga akuzat që qarkullojnë në media mbi të lartpërmendurit, ngrihen dyshime mbi vërtetësinë e motivacionit, aq më tepër në kohën kur qeveria e Ramës është zhytur në skandale, afera dhe korrupsion.
LEXO EDHE:
Vetingu i munguar i Ilir Prodës, dritë hijet e karrierës së kryepolicit














