Policia e Malit të Zi, me urdhër të Prokurorisë së Podgoricës, ka kryer kontrolle në banesën dhe pronat e biznesmenit Aleksandër Gjukanoviç, vëllai i ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Milo Gjukanoviç.
Sipas mediave vendase, operacioni u zhvillua në Podgoricë, në rrugën “Vuka Karaxhiç”, ku ndodhet banesa e tij. Zona u bllokua për qarkullimin e automjeteve, ndërsa forca të shumta policie u vendosën rreth godinës gjatë kontrollit.
Aleksandër Gjukanoviç, i njohur me nofkën “Aco”, është pronar i Prva Banka, një degë e së cilës ndodhet në të njëjtin pallat me banesën e tij.
Në shtator 2023, Qendra për Gazetari Hulumtuese e Malit të Zi raportoi se biznesmeni ishte zhvendosur në Luksemburg pas zgjedhjeve të vitit 2020 dhe kishte nisur projekte të reja atje. Pasuria e tij është vlerësuar në qindra milionë euro. Para vitit 1999 ai ishte i angazhuar në organizimin e koncerteve, ndërsa deri para dy vitesh raportohej se pasuria e tij tejkalonte 167 milionë dollarë.















