Banorët e fshatit Tërpan, në bashkinë e Poliçanit, kanë protestuar këtë të enjte, duke bllokuar për rreth një orë rrugën nacionale Tërpan–Përmet.
Sipas banorëve, ndërtimi i aksit nacional Tërpan–Ballaban–Përmet ka sjellë bllokimin e rrugës hyrëse të fshatit. Ata pretendojnë se segmenti është ngushtuar ndjeshëm, duke vështirësuar hyrjen në banesa dhe aksesin drejt plantacioneve me ullinj. Po ashtu, banorët theksojnë se gjatë punimeve janë dëmtuar apo bllokuar kanalet kulluese, çka ka shkaktuar vërshimin e ujërave në zonën e banuar.
Sipas tyre, edhe pse punimet ende nuk kanë përfunduar, situata e krijuar ka sjellë një sërë problematikash në jetën e përditshme. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për hapjen e rrugës së fshatit, në mënyrë që të kenë akses normal me automjete drejt banesave dhe me mjete bujqësore drejt tokave të tyre.














