Një shtyllë e tensionit të lartë 110 kV, nr. 15, që lidh HEC Egnatia me nënstacionin e Librazhd, është zhvendosur këtë të diel, si pasojë e shembjes së rrugës dhe masivit të dherave.
Sipas informacioneve, situata përbën rrezik për sigurinë e linjës së transmetimit në zonë, ndërsa punonjësit e OST po diskutojnë një zgjidhje që përfshin përforcimin e bazamentit të shtyllës si dhe stabilizimin e trupit të saj përmes lidhjes me kabuj çeliku, pasi rrëzimi i saj do të sillte shkëputje masive të energjisë.
Raportohet se aktualisht linja po mbahet nën kontroll, ndërsa paralelisht, gjeologët po bëjnë vlerësimin teknik të terrenit për të përcaktuar shkakun e zhvendosjes dhe rrezikun potencial për përkeqësim të mëtejshëm.














