Policia e Elbasanit ka reaguar pas vendimit për bllokimin e plotë të qarkullimit në aksin rrugor “Librazhd–Pogradec”, e cila ka dhënë detaje mbi masat e ndërmarra.
Ky aks u bllokua totalisht pasi rrezikohet shembja e urës, pas përkeqësimit të rrëshqitjes së dheut në zonën “Arrat e Gurrës”, pranë Dragostunjës.
Sipas njoftimit, në këtë segment do të lejohen të kalojnë vetëm ambulancat, mjetet e shërbimit zjarrfikës dhe ato të Policisë. Ndërsa, të gjitha kategoritë e tjera të mjeteve nuk do të lejohen të qarkullojnë deri në një njoftim të dytë.
Në njoftim bëhet me dije se edhe pikat kufitare do të orientojnë drejtuesit e mjeteve që të mos vijojnë lëvizjen në këtë segment rrugor, me qëllim shmangien e grumbullimeve dhe problematikave në qarkullim.
Për mjetet e vogla është përcaktuar si rrugë alternative aksi Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.
Njoftimi:
– Ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve, përfshirë mjetet e tonazhit të rëndë, autobusët dhe mjetet e vogla;
– Pikat kufitare do të njoftojnë dhe orientojnë drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, autobusët dhe mjetet e vogla për të mos vijuar lëvizjen në këtë aks;
– Rrugë alternative për mjetet e vogla do të jetë aksi Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.
Do të lejohen të kalojnë vetëm Ambulancat, Shërbimet zjarrfikëse dhe Mjetet e Policisë.
Shërbimet e Policisë janë të pranishme në terren për monitorimin e situatës dhe orientimin e drejtuesve të mjeteve.
Apelojmë për mirëkuptim dhe respektim rigoroz të udhëzimeve të dhëna nga strukturat e Policisë”, thuhet në njoftim.














