Në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet mesditën e kësaj të enjte procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut socialist të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i cili akuzohet për korrupsion në zgjedhje.
Burime për mediat bëjnë me dije se, në seancën e sotme Prokuroria e Posaçme ka kërkuar thirrjen e 27 dëshmitarëve, të cilët do të japin dëshmi në seancë.
Prokurori Dritan Prençi, ka deklaruar se gjatë hetimeve janë përdorur metoda speciale, përfshirë përgjime dhe vëzhgime. Sipas aktakuzës, Shkreli dyshohet se u ka premtuar banorëve të fshatit Stajkë investime për riparimin e linjës së energjisë elektrike, duke kërkuar në këmbim mbështetje elektorale për Partinë Socialdemokrate.
“Janë përdorur dhe medota speciale, përgjime e vëzhgime, Kristian Shkreli i premtoi investime banoreve të fshatit Stajkë për linjën e energjisë elektrike dhe në këmbim kërkoi votën për Partinë Socialdemokrate”,- tha Prençi.
Nga ana tjetër, avokatja e Shkrelit, Rovena Gashi, kundërshtoi akuzat, duke theksuar se gjatë gjithë hetimeve dhe përgjimeve nuk ekziston asnjë provë që tregon kryerjen e ndonjë vepre penale nga klienti i saj.
Sipas saj, kryebashkiaku nuk ka ndërhyrë në procedurat për riparimin e shtyllave elektrike, të cilat janë kryer nga OSSH, dhe nuk bëhet fjalë për investim të ri, por për një ndërhyrje teknike.
“Nuk jemi dakort me akuzën, në të gjitha veprimet, komunikimet e përgjimet, janë 500 faqe dhe s’ka asnjë moment që del i pandehuri Kristian Shkreli të ketë bërë ndonjë vepër penale. Kryetari i bashkisë është telefonuar nga vetë banorët e fshatit Stajkë, nuk i ka marr Kristian Shkreli ata. Bëhet fjalë për reshje të shumta shiu që kishin dëmtuar linjën. Ankesa ka shkuar nga vetë banorët te portali bashkëqeverisjes. Më pas procedurën për remont të shtyllave se ka hapur kryebashkiaku, por OSHEE, c’punë ka kryebashkiaku me këtë shërbim, dhe nuk është investim, por remont rregullim. Kryebashkiaku për atë punë është aty të degjojë ankesat e qytetarëve dhe ti qaj hallet, i zgjedhur për këtë punë. Kristiani ia ka përcjell shqetësimin e fshatareve drejtorit të OSSH. Për ne nuk ka asnjë akuzë, ai nuk i ka thënë askujt votoni për X subjekt politik, tek të gjitha telefonatat”,- ka deklaruar avokatja Rovena Gashi.
Kujtojmë se Kristjan Shkreli u mor i pandehur për korrupsion zgjedhor, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Sipas SPAK, ai u kërkoi banorëve vota në favor të PSD-së duke ofruar të mira materiale. Zyrtarit të lartë iu sekuestrua asokohe edhe aparati celular nga SPAK.














