Një 46-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Arben Kristo, ka humbur jetën gjatë një tentative grabitjeje në zonën e Gorello di Policiano, në Itali.
Sipas autoriteteve italiane, ai ka ndërruar jetë si pasojë e një hemorragjie të rëndë, pasi u plagos teksa përpiqej të kapërcente një gardh.
Sipas rindërtimeve të para hetimore, 46-vjeçari dyshohet se ishte pjesë e një grupi personash që kishin shënjestruar disa banesa në zonën kodrinore të Policianos. Gjatë përpjekjes për t’u larguar nga një vilë që dyshohet se ishte grabitur, ai është ngulur në një shtyllë gardhi, pjesërisht të elektrizuar për të penguar hyrjen e kafshëve të egra në të mbjella.
Plaga e marrë në zonën e femurit dyshohet se i ka shkaktuar një hemorragji fatale brenda pak minutash. Një autopsi pritet të përcaktojë shkakun dhe mekanizmin e saktë të vdekjes.
Autoritetet kanë deklaruar se gjatë grabitjes janë raportuar të shtëna me armë zjarri por kanë përjashtuar, në këtë fazë të hetimeve, një lidhje të drejtpërdrejtë mes vdekjes së shqiptarit dhe të shtënave në ajër.
Mbetet për t’u sqaruar nëse të shtënat janë kryer gjatë momentit të arratisjes së autorëve apo në një fazë të mëvonshme.
Sipas autoriteteve, 46-vjeçari rezultonte banor i paligjshëm në Itali dhe kishte disa precedentë penalë për krime kundër pronës. Hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tij, ndërsa aktualisht nuk ka persona të shpallur zyrtarisht si të dyshuar.
Autoritetet italiane bëjnë me dije se hetimet janë në zhvillim dhe priten rezultate të tjera nga analizat mjeko-ligjore.














