Nga Boldnews.al
Me mbiemra të ngjashëm, por me punë të “njëjtë”, nga pozicione krejtësisht të ndryshme, Agaçi dhe Agasi janë pasqyra ku kryeministri Rama ka vendosur të shihet dhe t’i duket vetja gjithnjë dhe më i fuqishëm. Të dy nuk janë më, por ai vijon të “shohë veten” në të njëjtën pasqyrë që vetëm një institucion ka të drejta ta thyejë, në bazë të ligjit, por nuk po e bën dhe me gjasë as e ka në mendje ta bëjë.
Pas 13 viteve, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, është shkarkuar nga detyra. Një personazh kontrovers që në Itali ku ushtronte profesionin e avokatit dhe kishte edhe një studio ligjore atje. Erdhi si prurje e parë e Ramës për ta bërë njeriun më të fuqishëm të korridoreve të errëta, por edhe kopsitësin e dokumenteve që shpesh fshihej tjetërsim pronash, korrupsion, lobim dhe afera.
Njeriu tjetër me mbiemër të ngjashëm, Ergys Agasi, ishte “zyrtari” më i rëndësishëm de fakto që ndonëse nuk kishte asnjë post shtetëror, shërbeu si ndërmjetësi i çdo afere që niste e mbyllej nga zyra e Ramës tek institucionet e shtetit. Agasi është shpallur në kërkim, i kapur në aferën e frikshme të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit AKSHI, me ish-drejtoreshën Mirlinda Karçanaj. Edhek jo e fundit u shkarkua ndërsa ndodhet në masën “arrest shtëpie”, por Rama është i ndërgjeshëm se ajo mbart një dosje të madhe ku preket edhe “shtëpia” e tij.
Njerezit që shihen si djaj të parasë publike, janë Engjëj për Ramën dhe enturazhin e tij. Pa ta kryeministri është i rënë, bashkë me pasyrën ku ai sheh veten që nga viti 2013 dhe në vijim. Institucioni që ka të drejtën ligjore, kushtetuese, por edhe morale të coptojë pasqyrën është SPAK-u. Heshtje e madhe në këtë institucion. Sado që herë pas here duket sikur godasin lart si arrestimi i kryebashkiakut në detyrë Erion Veliaj (tashmë i harruar në zguqet e Burgut të Durrësit), ashtu edhe procedimi dhe pezullimi nga detyra i supermistres Belinda Balluku, sërish Prokuroria Speciale nuk po ndez. Në fakt është kthyer në sanitare e pasyrës së kryeministrit.
Ndryshe nga çdo lëvizje tjetër e mëparshme, asnjë shkarkim, asnjë zëvendësim në kabinet dhe asnjë masë kozmetike që mund të marrë Rama nuk përbën lajm. Emrat mund të ndryshojnë, por forma e qeverisjes jo. Engjëj të tjerë me punë djalli pasojnë njëri-tjetrin, ndërsa “sanitarja” SPAK çdo ditë i kalon një leckë pasqyrës ku Rama shihet dhe i duket vetja me të drejtë gjithnjë e më i fortë!














