Në fjalimin e tij në Munich Security Conference, Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u përpoq të qetësonte aleatët evropianë duke theksuar se marrëdhëniet transatlantike do të mbeten të forta, ndërsa Uashingtoni synon t’i japë një impuls të ri bashkëpunimit me Evropën.
Rubio deklaroi se SHBA nuk kërkon distancim nga Evropa, por përkundrazi një rigjallërim të aleancës historike.
“Nuk duam të ndahemi, por të rivitalizojmë një miqësi të vjetër dhe të rinovojmë civilizimin më të madh në historinë njerëzore. Fati ynë është dhe do të jetë gjithmonë i ndërlidhur me tuajin,” tha ai.
Ai nënvizoi se, nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump, SHBA synon një qasje të re në rindërtimin e rendit global dhe forcimin e partneriteteve strategjike.
Kryediplomati amerikan theksoi se Uashingtoni dëshiron një Evropë që të jetë në gjendje të mbrojë veten.
“Nuk duam aleatë që janë të dobët. Duam një Evropë që mund të mbrojë veten, në mënyrë që asnjë armik yni të mos tundohet të vërë në provë fuqinë tonë kolektive,” u shpreh Rubio.
Sipas tij, fuqizimi i kapaciteteve mbrojtëse evropiane është thelbësor për sigurinë e përbashkët dhe për ruajtjen e stabilitetit në rajon.
Lufta në Ukrainë dhe qëndrimi ndaj Rusisë
I pyetur për luftën në Ukrainë, Rubio theksoi se administrata amerikane do të vijojë përpjekjet për arritjen e paqes, por shtoi se mbetet e paqartë nëse Moska është serioze për t’i dhënë fund konfliktit.














