Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin këtë të premte për tre të pandehurit, Adriatik Logli, ish-efektiv, Kristi Dautaj dhe Xhuliano Aliu dhe disa të tjerë, të cilët u arrestuan në mars të vitit 2022 në kuadër të një operacioni të SPAK, ku u goditën 5 grupe kriminale.
Sipas njoftimit, Adriatik Logli, ish-efektiv policie në Gjirokastër u shpall i pafajshëm nga gjykata për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Ndërsa Kristi Dautaj u shpall fajtor për akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe u dënua më 10 vite burgim si dhe dy vite burgim për veprën penale grup i strukturuar kriminal. Në përfundim, gjykata vendosi për Kristi Dautaj dënimin përfunimtar me 10 vite burg.
Gjithashtu Gjykata dënoi me 5 vite burg shtetasin Xhuliano Aliu për prodhim dhe shitje narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe me 1 vit burg për veprën penale grup i strukturuar kriminal. Në përfundim, gjykata vendosi se Aliu do të duhet të bëjë 5 vite burg në total.
Po këtë të premte në një proces tjetër të ndarë, u shpall vendimi për tre të pandehur të tjerë, përkatësisht Bujar Brahak që u dënua 10 vite burg, Hertjan Pjetërgjokaj me 8 vite dhe po kaq Elton Ukaj të cilët nga ky dënim përfitojnë zbritjen me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Sipas hetimeve të Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), janë evidentuar 13 episode kriminale që përfshijnë trafikim, prodhim dhe shitje narkotikësh, si dhe kultivim të bimëve narkotike në Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë dhe Lezhë. Aktiviteti dyshohet se është zhvilluar nga pesë grupe të ndryshme kriminale gjatë periudhës mars–nëntor 2020. Pjesa tjetër e grupeve prej 32 personave u dënuan në total me 200 vite e 6 muaj burg
LEXO EDHE:
Emrat/ Të akuzuar për trafik droge me Italinë, kush janë të arrestuarit nga SPAK














