Gjykata e Lartë, me trupë gjykuese të përbërë nga Sandër Simoni, Sokol Binaj dhe Enton Dhimitri, ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Etjen Cani, Klajdi Dokoli dhe Ervis Bardhi, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm të datës 15 nëntor 2023.
Apeli i Posaçëm Antikorrupsion kishte dënuar me burgim të përjetshëm Ardjan dhe Florenc Çapjan, si edhe Jorgo Lekun, për vrasjen e dyfishtë të Nezir dhe Gentjan Beqirit, babë e bir.
Ndërkohë, Klajdi Dokoli dhe Etjen Cani u dënuan me nga 25 vite heqje lirie, ndërsa Ervis Bardhi me 15 vite burgim.
Ngjarja
Vrasja e Nezir dhe Gentjan Beqirit, babë e bir, ndodhi në orët e para të mëngjesit të 15 gushtit 2012 në qytetin e Elbasanit. Sipas hetimeve dhe vendimeve gjyqësore, autorët u futën në banesën e familjes Beqiri dhe i ekzekutuan të dy me armë zjarri, ndërsa ata ndodheshin duke fjetur.
Trupat e pajetë u gjetën brenda banesës, ndërsa krimi tronditi opinionin publik për egërsinë dhe mënyrën e kryerjes. Hetimet zbuluan se vrasja ishte pjesë e një konflikti të rëndë mes grupeve kriminale në Elbasan, duke çuar më pas në arrestimin dhe dënimin e Ardjan dhe Florenc Çapjas, si edhe të bashkëpunëtorëve të tyre.














