Qeveria ka dalë me një njoftim zyrtar pas heqjes së ndalimit të platformës TikTok në Shqipëri.
Qeveria ka pranuar se mbyllja e TikTok-ut përbënte problem për sigurinë kibernetike të qytetarëve, për shkak të mungesës së monitorimit institucional dhe përdorimit të platformës në mënyra pirate.
“Heqja e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën online TikTok është rezultat i një rivlerësimi institucional dhe i adresimit konkret të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë,” bëhet me dije në njoftim.
Gjithashtu sqarohet se autoritetet shqiptare janë në bisedime me përfaqësuesit e TikTok për vendosjen e filtrave mbrojtës përmes fjalëve kyçe, kontrollin e përmbajtjes dhe modalitetet më efikase të raportimit dhe trajtimit të shkeljeve.
“Paralelisht, po punohet për hartimin e një plani të mirëfilltë komunikimi dhe ndërgjegjësimi, të fokusuar te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit, për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të platformave online. Qëllimi është i qartë dhe i orientuar drejt edukimit digjital, mbrojtjes reale dhe ndërtimit të një kulture sigurie në hapësirën online,” thuhet më tej në njoftim.
TikTok u mbyll dhe u shpall i paligjshëm rreth një vit më parë, pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, vetëm disa metra larg shkollës.
Për të shmangur ngjarje të tilla tragjike, kryeministri vendosi ta mbyllë për një vit rrjetin social. Megjithatë, mbyllja e TikTok-ut rezultoi më shumë një masë simbolike sesa reale, pasi platforma nuk u zhduk, por u zhvendos në “nëntokë” përmes përdorimit të VPN-ve, duke u kthyer në një hapësirë edhe më të pakontrolluar dhe më të rrezikshme për të rinjtë.













