Pas një viti bllokimi, qeveria ka vendosur të tërhiqet nga vendimi për mbylljen e TikTok në Shqipëri, duke pranuar në heshtje dështimin e një mase të shpallur si “mbrojtje ndaj ndikimeve negative”.
Me vendim të marrë këtë të mërkurë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, është shfuqizuar vendimi nr.151, datë 6.3.2025, që parashikonte masa të përkohshme për kufizimin e platformës “TikTok”.
“Vendimi nr.151, datë 6.3.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line “Tik Tok”, shfuqizohet.” – thuhet në vendim.
Në praktikë, kjo do të thotë se aplikacioni është rihapur zyrtarisht, pa u dhënë asnjë shpjegim i qartë për efektivitetin apo dështimin e ndalimit.
TikTok u pezullua më 6 mars të vitit të kaluar me justifikimin e ndikimeve negative tek të rinjtë dhe siguria online, por gjatë gjithë kësaj periudhe qeveria nuk prezantoi asnjë raport, analizë apo rezultat konkret që të provonte se masa kishte funksionuar.
Përkundrazi, përdoruesit e anashkaluan bllokimin brenda pak minutash, ndërsa institucionet shtetërore treguan pafuqinë për të kontrolluar realisht hapësirën digjitale.














