Kryedemokrati, Sali Berisha, akuzoi sot Gjykatën Kushtetuese se është nën varësinë dhe presionin e Edi Ramës, ndaj edhe zvarrit dhe nuk merr vendim për largimin e Belinda Ballukut nga detyra, sipas masës së GJKKO-SPAK.
Gjatë konferencës për gazetarët, Berisha ka ngritur akuza se gjyqtarët që janë njerëz me shkollë dhe të lexuar, po sillen në kundërshtim me interesat e qytetarëve shqiptarë dhe po mbrojnë pandëshkueshmërinë dhe hajdutët.
“Ata të Gjykatës Kushtetuese, mender Gjykatë, turp Gjykatë. Ata janë me shkollë, ata janë njerëz që kanë lexuar dhe lexojnë. Ata duhet të mbrojnë interesat tuaja. Po pse sillen kështu, sepse ashtu është kryeministri i vendit. Ndaj ju jeni shpresa e fundit e këtij vendi, ndaj të vazhdojmë me vendosmëri absolute, deri në legjitimitetin e moralit, dinjitetit dhe integritetit të shqiptarëve dhe Shqipërisë”, tha Berisha.
Sipas Berishës, gjyqtarët e Kushtetueses janë të zgjedhur nga Rama. Ai dha koment edhe për çështjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke deklaruar se piramida e pagave është përmbysur nga Rama ndër vite dhe tani ka diferenca të theksuara.
“Kurse për çështjen e pagave jam deklaruar dhe e them se është ekskluzive e ekzekutivit, qeverisë. Ka piramidë të pagave. tani piramida është përmbysur, hajde gjeje ti tani. Prokurori i Përgjithshëm merr gjysmën e rrogës së atij të SPAK. Ndaj ata kanë të drejtë, piramida është përmbysur nga Rama. Rrugat nisin nga Presidenti dhe poshtë, por këta i ndryshuan dhe shikoni diferencat, piramida u përmbys”, tha Berisha.














