Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar publikisht pas raportimeve mediatike që e lidhin emrin e saj me dosjen “Epstein”, të publikuar së fundmi nga Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Në një sqarim zyrtar, Jahjaga i ka cilësuar këto raportime si të pavërteta, të pabaza dhe mashtruese për opinionin publik.
“Raportimet mediatike për ‘lidhjen time’ me dosjen ‘Epstein’ janë tërësisht të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo kontakti me personin në fjalë.
Emri im nuk përmendet askund në asnjë dokument të publikuar. Në emailin në fjalë përmendet ‘Presidenti i Kosovës’, pa u specifikuar se për kë bëhet fjalë dhe pa ndonjë kërkesë për takim në emrin tim.
Nuk e kam njohur, nuk e kam takuar dhe nuk kam kërkuar takim me personin në fjalë në asnjë pozicion që kam mbajtur”, thekson ajo.
Reagimi i ish-presidentes vjen pas publikimit, më 29 janar, të mijëra dokumenteve të dosjes Epstein nga autoritetet amerikane. Në mesin e tyre ndodhet edhe një email i vitit 2012, ku një person me emrin “Daniel”, identiteti i të cilit mbetet i panjohur, përmend “Presidentin e Kosovës” në një kontekst të përgjithshëm, pa emër konkret dhe pa prova për ndonjë takim të zhvilluar. Në atë periudhë, detyrën e Presidentes së Kosovës e ushtronte Atifete Jahjaga, çka ka nxitur spekulime dhe raportime mediatike, të cilat ajo i ka hedhur poshtë kategorikisht.














