Dy shtetas shqiptarë kanë dalë para gjykatës në Britaninë e Madhe për vdekjen e një burri 63-vjeçar, i cili humbi jetën pas një aksidenti rrugor.
Ngjarja ndodhi më 29 dhjetor në Gillingham. Viktima ishte Tom Wallace, një kirurg dentar dhe baba i tre fëmijëve, raporton BBC.
Në gjykatë u paraqitën Albert Matraxhiu dhe Erald Paci, të dy 29 vjeç. Ata akuzohen se drejtuan makinën në mënyrë të rrezikshme dhe u larguan nga vendngjarja pas aksidentit.
Albert Matraxhiu nuk e pranoi akuzën për drejtim të rrezikshëm, por pranoi një akuzë më të lehtë për drejtim të pakujdesshëm. Prokuroria kërkoi që çështja të shkojë në gjyq për akuzën më të rëndë.
Gjykatësi vendosi që seanca e radhës të mbahet më 13 korrik dhe la të dy të pandehurit në paraburgim deri në përfundim të gjyqit.














