Një qytetar nga zona e Laprakës ka ngritur publikisht shqetësimin për gjendjen e rënduar të rrugës “Gani Kryeziu”, pranë njësisë administrative nr. 11 në Tiranë.
Sipas denoncimit, rruga ndodhet prej vitesh në kushte të papranueshme, pa ndërhyrje nga institucionet përkatëse, duke sjellë vështirësi të mëdha për banorët e zonës.
Banorët theksojnë se situata përkeqësohet ndjeshëm gjatë reshjeve të shiut, kur mungesa e kanalizimeve e kthen rrugën në një terren të rrezikshëm për këmbësorët dhe drejtuesit e mjeteve.
Ata shprehen se mungesa e infrastrukturës minimale ka shtuar ndjeshëm pasigurinë dhe frikën për lëvizjen e përditshme.
Qytetari që ka bërë denoncimin publik i bën thirrje njësisë nr. 11 dhe Bashkisë së Tiranës, të drejtuar nga kryetarja Anuela Ristani, që të marrin masa urgjente për shtrimin dhe rregullimin e rrugës.
Sipas tij, banorët nuk mund të vazhdojnë të jetojnë në këto kushte dhe kërkojnë një zgjidhje konkrete e të qëndrueshme.
Banorët e Laprakës apelojnë që institucionet të mos e lënë problemin të zvarritet më tej, duke theksuar se rruga është një nevojë bazë për komunitetin dhe se ndërhyrja e menjëhershme është e domosdoshme për sigurinë dhe jetesën e tyre të përditshme./JOQ/
View this post on Instagram













