Autoritetet shëndetësore në Indi janë vënë në alarm për shkak të përhapjes së virusit Nipah, një sëmundje e rrezikshme e transmetuar nga lakuriqët e natës, e cila ekspertët paralajmërojnë se mund të ketë potencial pandemik.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, rastet e para janë zbuluar në shtetin e Bengalit Perëndimor, pranë qytetit Kolkata, një nga zonat më të populluara të vendit. Deri më tani janë konfirmuar tre raste të reja, përfshirë një mjek, një infermiere dhe një punonjës shëndetësor.
Autoritetet kanë nisur menjëherë gjurmimin e kontakteve dhe kanë futur në karantinë rreth 20 persona me rrezik të lartë, ndërsa janë testuar mbi 180 individë.
Një nga pacientët ndodhet në gjendje kritike, pasi zhvilloi temperaturë të lartë dhe probleme të rënda në frymëmarrje. Dyshohet se infektimi ka ndodhur gjatë kujdesit për një pacient tjetër me probleme respiratore, i cili humbi jetën para se të kryheshin testet për virusin Nipah.
Virusi Nipah përhapet nga kafshët tek njerëzit, kryesisht nga lakuriqët e natës ose derrat e infektuar, por mund të transmetohet edhe nga një person te tjetri. Lakuriqët e natës janë strehuesit natyrorë të virusit dhe janë të përhapur gjerësisht në zonat urbane dhe rurale të Indisë.
Tek njerëzit, infeksioni fillimisht mund të jetë pa simptoma, por përparon shpejt në sëmundje akute të frymëmarrjes dhe inflamacion të trurit. Simptomat përfshijnë ethe, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të vjella dhe dhimbje fyti. Në rastet e rënda, pacientët mund të bien në koma brenda 24–48 orësh.
Shkalla e vdekshmërisë nga virusi Nipah varion nga 40 deri në 75 për qind, ndërsa aktualisht nuk ekziston as vaksinë dhe as trajtim specifik kundër tij.
Për shkak të rrezikut të lartë dhe potencialit epidemik, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka klasifikuar Nipah si patogjen prioritar dhe ka kërkuar hetim urgjent dhe zhvillim të vaksinave për njerëzit dhe kafshët.
Ekspertët theksojnë se shpërthime të tilla lidhen me zoonozat, sëmundjet që transmetohen nga kafshët tek njerëzit, të cilat janë bërë më të shpeshta për shkak të ndërhyrjes njerëzore në habitatet natyrore dhe ndryshimeve mjedisore.
India ka regjistruar raste me virusin Nipah pothuajse çdo vit gjatë dy dekadave të fundit, veçanërisht në shtetin jugor të Kerala-s. Virusi u identifikua për herë të parë në Malajzi dhe Singapor në vitin 1999, ku infektoi fermerë derrash dhe shkaktoi dhjetëra viktima.














