Sesioni i ri parlamentar për vitin 2026 u hap me përplasje të forta mes opozitës dhe mazhorancës, duke shënuar një atmosferë të tensionuar që në ditën e parë të punimeve.
Kryedemokrati Sali Berisha, i shoqëruar nga deputetët e Partisë Demokratike, përfshirë Gazment Bardhin, rrethuan foltoren e Kuvendit në shenjë proteste.
Shkak për këtë situatë u bë prania e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila ndodhej në sallë pavarësisht kërkesës së opozitës për mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, me qëllim heqjen e imunitetit të saj sipas kërkesës së SPAK-ut.
Teksa kaosi vazhdonte në sallë, ministri Niko Peleshi prezantoi objektivat parlamentare të qeverisë, ndërsa Berisha preferoi të transmetonte drejtpërdrejt nga foltorja në rrjetet sociale.
Nga foltorja e Kuvendit, Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën se po mbron zyrtarë të përfshirë në afera korruptive.
Ai kërkoi që, ashtu si në rastin e Erion Veliajt, edhe Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama t’i dorëzohen drejtësisë.
Bardhi paralajmëroi se Kuvendi nuk duhet të shndërrohet në “bunker të korrupsionit” dhe i bëri thirrje kryetares së Kuvendit të thërrasë Këshillin e Rregullores për të vepruar ndaj zyrtarëve të akuzuar.
“Të korruptuarit dorëzojani drejtësisë. Ashtu siç dorëzuat Erion Veliajn, do të dorëzoni edhe Belinda Ballukun dhe më pas Edi Ramën. Mos e kthe Kuvendin në bunker të korrupsionit,” – u shpreh Bardhi.
“Si nuk u lodhe o burrë’, dëgjohet Peleshi duke iu drejtuar Gazment Bardhit i cili fliste mbi fjalën e tij duke kërkuar largimin e zv. kryeministres nga salla e Kuvendit.
E ndërsa opozita nuk ka pranuar që të ulen në karriget e tyre dhe të vijojë seanca, Peleshi me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PS ka hedhur në votim projektligjet, të cilat janë miratuar me votat e PS.













