Dita e djeshme u paraqit nga kryeministri Edi Rama si një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij politike.
Me tone krenarie dhe premtime se do të na bëjë krenarë, Rama njoftoi në rrjetet sociale se kishte marrë një ftesë nga presidenti i SHBA-së për të përfaqësuar vendin në të ashtuquajturin Bordi i Paqes për Gazën.
Sipas Bloomberg, propozimi vjen nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe parashikon krijimin e një organizate të re ndërkombëtare, e cila fillimisht lidhet me paqebërjen dhe rindërtimin në Gaza, por me mundësi zgjerimi edhe në zona të tjera konflikti.
Çfarë parashikon projekti
Sipas draft-statutit të cituar nga Bloomberg:
Çdo vend që kërkon anëtarësim të përhershëm në Bord duhet të paguajë të paktën 1 miliard dollarë brenda vitit të parë.
Vendet që nuk e kryejnë këtë pagesë do të kenë vetëm mandate trevjeçare, të rinovueshme vetëm me miratimin e presidentit të organizatës.
Sipas dokumentit, këtë rol do ta ketë vetë Trump, i cili do të ketë kompetenca kyçe në funksionimin dhe rregullat e institucionit.
Mediat ndërkombëtare theksojnë se emri dhe përmbajtja e kartës së Bordit të Paqes lënë hapësirë për një rol shumë më të gjerë sesa vetëm Gaza, duke e shndërruar atë potencialisht në një strukturë globale.














