Shirat intensivë të këtij dimri kanë shkaktuar rrëshqitjen e masiveve të dherave dhe inerteve në Gjirokastër. Specialistët gjeologë apelojnë për zbatimin e investime në zonat e prekura nga erozioni duke parandaluar rrezikshmërinë për banorët.
“Të marrim masa mbrojtëse të cilat konsistojnë në projektet dhe investimet që duhen për tu mbrojtur nga këto fenomene të natyrës, kryesisht duhet përqendruar tek kontrolli i vazhdueshëm i specialistëve të mjedisit, gjeologjisë dhe inxhinierëve të ndërtimit me qëllim që mos ti lënë kur ndodh një fatkeqësi, kur jemi në prag të fatkeqësisë natyrore”, tha Çano Nora, specialist gjeolog.
Ekspertët apelojnë për mbrojtjen e mjedisit, mosdepozitimin mbetjeve urbane në shtretërit e përrenjve si dhe zgjerimin e sipërfaqeve të pyllëzuara për parandalimin e dëmeve nga përmbytjet
“Për t’u mbrojtur nga këto fatkeqësi natyrore, nga shirat siç ndodhi këtë vit në Gjirokastër përveç përrenjve që duhet të jenë të pastër sepse përrenjtë nuk janë kazanë plehrash që merr dhe hidh mbetje të llojeve të ndryshme, të mos hidhen mbetje, të drenazhohen ujërat dhe të mos priten pemët”, u shpreh gjeologu për Euronews Albania.
Reshjet intensive të ditëve të fundit shkaktuan probleme të theksuara në Gjirokastër ndërsa u përmbytën dhe u dëmtuan shumë banesa dhe biznese.














