Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se dërgimi i trupave evropiane në Groenlandë nuk ndikon në ambicien e SHBA-së për të blerë territorin danez.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve se prania ushtarake e aleatëve në ishull nuk ka asnjë ndikim në vendimmarrjen e presidentit.
“Nuk mendoj se vendosja e trupave në Evropë ndikon në procesin e vendimmarrjes së presidentit dhe as nuk prek aspak qëllimin e tij për blerjen e Groenlandës,” deklaroi Leavitt.
Sipas saj, bisedimet me qeverinë daneze po vijojnë dhe palët kanë rënë dakord të krijojnë një grup pune, i cili do të zhvillojë diskutime teknike çdo dy deri në tre javë.
Ajo theksoi se për Trump, Groenlanda mbetet prioritet strategjik:
“Ai dëshiron që Shtetet e Bashkuara të blejnë Groenlandën dhe beson se kjo është në interesin tonë më të mirë kombëtar,” shtoi Leavitt.
Deklaratat vijnë në një kohë kur vendet evropiane po rrisin prezencën e tyre në Arktik. Gjermania, Suedia, Franca, Norvegjia dhe Finlanda kanë konfirmuar dërgimin e personelit ushtarak këtë javë për stërvitje të përbashkëta me Danimarkën në territorin grenlandez.
Lëvizjet ushtarake dhe deklaratat politike sinjalizojnë një interes në rritje për Arktikun, i cili po shndërrohet në një pikë kyçe të rivalitetit strategjik mes aleatëve dhe kundërshtarëve të tyre gjeopolitikë.














