Kryetari i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori, të premten në orën 18:00, do të mbajë një takim publik te qendra sociale “Tek Bunkeri”, ku përfaqësuesit e Lëvizjes BASHKË do të parashtrojnë këndvështrimin e tyre mbi zgjedhjet e parakohshme dhe daljen nga kriza. Po ashtu, ata do t’u përgjigjen çdo pyetjeje të pjesëmarrësve.
Në një postim në rrjete sociale, Qori shprehet se: “Ja shkoi ky, kush do të vijë?”, “Për çfarë do të vini?”, “Me cilin program?”, “Bashkë apo veç?”, “Me qeveri teknike apo zgjedhje të parakohshme?” janë disa nga pyetjet stereotipike që shkaktojnë konfuzion dhe kërkojnë përgjigje në mënyrë emergjente, si parakusht për ta çliruar opinionin publik nga dogmat e pushtetit dhe për qartësimin e rrugës së ndryshimit.
Postimi i plotë:
Qeveria Rama nuk ka qenë kurrë në një pozitë më të dobët se sot, pasi ka humbur tërësisht legjitimitetin politik. Në mandatin e saj të katërt, me pjesën më të rëndësishme të drejtuesve të saj në burg ose në prag të burgut, si dhe me një zëvendëskryeministre si Belinda Balluku, e cila ka implikuar në aferat e saj korruptive dukshëm edhe kryeministrin Rama, duket se ajo nuk do ta ketë të gjatë.
Por përtej dakordësisë së gjithëpranuar të opinionit publik dhe partive opozitare se koha e Edi Ramës është në krizë dhe në muzgun e thellë të saj, çështja është se cila është rruga e rrëzimit të tij. Këtu, përveçse ndahemi, ne mendojmë se analiza mbi kërkesat, mënyrat e veprimit dhe mbi «të nesërmen e rrëzimit» është përcaktuese jo vetëm për të ardhmen e vendit, por edhe për dilemat e shumta të qytetarëve në këtë udhëkryq historik.
“Ja shkoi ky, kush do të vijë?”, “Për çfarë do të vini?”, “Me cilin program?”, “Bashkë apo veç?”, “Me qeveri teknike apo zgjedhje të parakohshme?” janë disa nga pyetjet stereotipike që shkaktojnë konfuzion dhe kërkojnë përgjigje në mënyrë emergjente, si parakusht për ta çliruar opinionin publik nga dogmat e pushtetit dhe për qartësimin e rrugës së ndryshimit.
Prandaj këtë të premte në orën 18:00, Lëvizja BASHKË ju fton në një takim publik te qendra sociale “Tek Bunkeri” mbi këtë çështje, ku përfaqësuesit e Lëvizjes BASHKË do të parashtrojnë këndvështrimin tonë mbi daljen nga kriza dhe do t’u përgjigjen çdo pyetjeje të pjesëmarrësve.
Ju mirëpresim!













