Aksi Kakavijë-Janinë do të bllokohet sërish ditën e sotme për shkak të protestës së fermerëve grekë.
Raportohet se aksi do të jetë i bllokuar për 48 orë duke filluar nga ora 12:00 me orën greke, ndërsa do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.
“Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, për 48 orë duke filluar nga ora 12:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët”,– thuhet në njoftimin e Policisë.
Fermerët grekë prej vitit të kaluar intensifikuar protestat e tyre duke zbritur në rrugë me traktorë e mjete bujqësore, dhe duke bllokuar rrugët kryesore të transportit, qytetet si dhe aeroportet.
Ata pretendojnë se qeveria nuk u ka disbursuar në kohë subvencionet bujqësore, si edhe kompensimet për dëmet nga përmbytjet, stuhitë, sëmundjet e bagëtive dhe problemet strukturore në bujqësi. Sipas tyre, shumë pagesa të premtuara sipas programeve bujqësore dhe skemave të mbrojtjes kanë mbetur të pezulluara ose të paplotësuara.














