Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, deklaroi në një intervistë për News24 se ndërhyrja e policisë ndaj protestuesve përpara Kryeministrisë ka qenë e dhunshme dhe në shkelje të ligjit.
Sipas tij, protesta ishte e njoftuar zyrtarisht dhe policia ka ndërhyrë brenda orarit të lejuar, çka është konstatuar edhe nga gjykata, e cila ka shpallur të paligjshme arrestimet e kryera.
Lapaj akuzoi forcat e rendit për disproporcion force, duke e cilësuar ndërhyrjen si “vandalizëm nga policët”, ndërsa theksoi se protesta nuk ka penguar qytetarët dhe nuk ka pasur akte vandalizmi nga protestuesit.
Sipas Lapajt, protestat e vazhdueshme po e shqetësojnë kryeministrin, pasi qytetarët po qëndrojnë çdo ditë para zyrës së tij dhe po reagojnë hapur kundër padrejtësive.
Ai deklaroi se mbi 3 mijë qytetarë morën pjesë në protestën e fundit, përballë qindra forcave policore, duke e cilësuar këtë si dëshmi të rritjes së rezistencës qytetare.
“Protesta që ne po bëjmë është çdo natë. Në tre javët e fundit kemi zhvilluar dy protesta relativisht të mëdha. Ajo që nuk është parë disproporcioni dhunës së realizuar nga ana e punonjësve të policisë. Të gjithë janë dëshmitarë që ai ishull rezistence nuk ka penguar njeri.
Nuk ka një dëshmi që aty të jetë bërë vandalizëm. Disproporcioni i policisë ka qenë raporti 1 me 10. Pritën deri sa të largoheshin njerëzit dhe sollën një ‘lukuni efektivësh’, aty. Çfarë nuk është parë? Qytetari i kanë kërcinjtë gjak, gjuajnë me kambale nga këmbët që të mos kapen nga kamera. Ligji nuk thotë tërhiqe çadrën në mënyrë brutale. Si e heq flamurin kombëtar, në atë mënyrë.
“Për ta është bezdisëse, plagë e hapur që vjen në rritje, është gërricëse sepse protesta vjen e forcohet, e fundit kishte 3 mijë qytetarë dhe 700 policë. Ai ka frikë se qytetarët po vrasin frikën dhe i thonë “hajdut” në shesh. Shkojnë njerëzit aty dhe po i thërrasin “O hajdut!”. Ai është në hall me drejtësinë. I është kapur gafil qeveria në vjedhje, ai mendon për 2-3 muaj pas, është në hall të madh. Po i dalin të gjithë njerëzit e implikuar, nën hetim. Ai është në hall të vërtetë”, nënvizoi ai.














